Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 10:6-18 Bibla Shqip (ALBB)

6. Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.

7. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.

8. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.

9. Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.

11. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

12. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

13. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet.

14. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15. ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

16. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.

17. Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

18. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''.

Lexoni kapitullin e plotë Gjoni 10