kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 10 Bibla Shqip (ALBB)

1. ''Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;

2. kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.

3. Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.

4. Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.

5. Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve''.

6. Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.

7. Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.

8. Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.

9. Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.

10. Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.

11. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.

12. Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.

13. Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t'ia dijë për delet.

14. Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,

15. ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.

16. Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t'i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.

17. Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.

18. Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im''.

19. Atëherë lindi përsëri një përçarje midis judenjve për shkak të këtyre fjalëve.

20. Dhe shumë nga ata thoshin: ''Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?''.

21. Të tjerë thoshin: ''Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t'ua hap sytë të verbërve?''.

22. U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.

23. Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.

24. E rrethuan, pra, judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''.

25. Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.

26. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.

27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;

28. dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.

29. Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.

30. Unë dhe Ati jemi një''.

31. Prandaj judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.

32. Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''.

33. Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''.

34. Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?

35. Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),

36. ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?

37. Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,

38. por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''.

39. Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.

40. Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.

41. Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshin: ''Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë''.

42. Dhe atje shumë veta besuan në të.