23. Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.
24. E rrethuan, pra, judenjtë dhe i thanë: ''Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas''.
25. Jezusi u përgjigj atyre: ''Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.
26. Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.
27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;
28. dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t'i rrëmbejë nga dora ime.
29. Ati im, që m'i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t'i rrëmbejë nga dora e Atit tim.
30. Unë dhe Ati jemi një''.
31. Prandaj judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.
32. Jezusi u përgjigj atyre: ''Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?''.
33. Judenjtë u përgjigjën duke thënë: ''Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi''.
34. Jezusi u përgjigj atyre: ''A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?
35. Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),
36. ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?
37. Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,
38. por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë''.
39. Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.