kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Gjoni 2 Bibla Shqip (ALBB)

1. Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.

2. Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.

3. Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: ''Nuk kanë më verë!''.

4. Jezusi i tha: ''Ç'ke me mua, o grua? Ora ime s'ka ardhur akoma!''.

5. Nëna e tij u tha shërbëtorëve: ''Bëni gjithçka që ai t'ju thotë!''.

6. Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e judenjve, dhe secila nxinte dy ose tri masa.

7. Jezusi u tha: ''Mbushni enët me ujë!''. Dhe ata i mbushën deri në grykë.

8. Pastaj u tha: ''Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës''. Dhe ata ia çuan.

9. Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,

10. dhe i tha: ''Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!''.

11. Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.

12. Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.

13. Pra, Pashka e judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

14. Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;

15. dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,

16. dhe shitësve të pëllumbave u tha: ''Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!''.

17. Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: ''Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!''.

18. Atëherë judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: ''Ç'shenjë na tregon se i bën këto gjëra?''.

19. Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!''.

20. Atëherë judenjtë thanë: ''U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?''.

21. Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.

22. Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishte thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.

23. Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,

24. por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,

25. dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç'kishte përbrenda njeriut.