35. Pasi e kryqëzuan, hodhën short për të ndarë rrobat e tij.
36. Pastaj u ulën dhe po e ruanin.
37. Mbi kokë i vunë shkrimin me shkakun e dënimit: «Ky është Jezui, mbreti i judenjve».
38. Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39. Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën
40. e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin dhe do ta ndërtoje për tri ditë, shpëto veten nëse je Biri i Perëndisë dhe zbrit nga kryqi!».
41. Edhe kryepriftërinjtë me skribët dhe pleqtë e tallnin dhe thoshin:
42. «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. Ky që qenka mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi e atëherë do t’i besojmë.
43. Ky ka besuar në Perëndinë dhe ka thënë se është Biri i Perëndisë! Atëherë le ta shpëtojë Perëndia nëse e do».
44. Edhe kusarët që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin në të njëjtën mënyrë.