35. Por urtia e Perëndisë dëftehet se është e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».
36. Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut e u ul në tryezë.
37. Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë.
38. Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t’ia lagte këmbët me lot e t’ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t’i puthte këmbët e t’ia lyente me mirrë.
39. Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare».
40. Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë».Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues».
41. «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë.
42. Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?».
43. Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh».E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt».
44. Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m’i lau me lotët e saj e m’i thau me flokët e saj.
45. Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia që kur hyra brenda.
46. Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m’i leu këmbët me mirrë.
47. Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri».
48. Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet».
49. Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që fal edhe mëkatet?».
50. Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».