2. Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit.
3. Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”.
4. Për një farë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit,
5. meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t’ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur vazhdimisht, do të më bëjë ta humb durimin”».
6. E Zoti tha:«Dëgjoni se çfarë thotë gjykatësi i padrejtë.
7. Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t’i ndihmojë?
8. Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».
9. Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë:
10. «Dy njerëz shkuan për t’u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës.
11. Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës.
12. Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia.”
13. Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”
14. Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet e kush e përul vetveten, do të lartësohet».
15. Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t’i prekte, po kur i shihnin, dishepujt i ndalonin.
16. Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata.