24. Atëherë thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: «Jepi lavdi Perëndisë! Ne e dimë se ai njeri është mëkatar».
25. Ai u përgjigj: «Në është mëkatar apo jo nuk e di. Një gjë di, që isha i verbër dhe tani shoh».
26. Ata e pyetën: «Çfarë të bëri? Si t’i hapi sytë?».
27. Ai u përgjigj: «Jua thashë një herë dhe nuk më dëgjuat. Përse doni ta dëgjoni përsëri? Mos doni të bëheni edhe ju dishepuj të tij?».
28. Ata e fyen dhe i thanë: «Ti je dishepull i tij, ndërsa ne jemi dishepuj të Moisiut.
29. Ne e dimë se Perëndia i ka folur Moisiut, ndërsa për atë nuk e dimë as nga është».
30. Ai u përgjigj: «Është për t’u habitur! Ju nuk e dini nga është e megjithatë ai më hapi sytë.
31. E dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por dëgjon atë që e respekton dhe që bën vullnetin e tij.
32. Nuk është dëgjuar kurrë që dikush të ketë hapur sytë e dikujt që ka lindur i verbër.
33. Nëse ai nuk do të ishte nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë».
34. Ata i thanë: «Ti ke lindur i tëri në mëkate dhe do që të na mësosh ne?». Dhe e nxorën jashtë.
35. Kur Jezui mori vesh se e kishin nxjerrë jashtë, e gjeti dhe i tha: «A beson ti në Birin e njeriut?».
36. Ai u përgjigj: «Kush është, zotëri, që të besoj në të?».
37. Jezui i tha: «Ti e ke parë. Është ai që po flet me ty».
38. «Besoj, o Zot!», i tha ai dhe ra në gjunjë para tij.