20. Shumë prej tyre thoshin: «Ka djallin dhe është i marrë. Përse e dëgjoni?».
21. Ndërsa të tjerë thoshin: «Këto fjalë nuk dalin nga një që ka djallin. A mundet djalli të hapë sytë e të verbërve?».
22. Në Jerusalem po kremtohej festa e Kushtimit. Ishte dimër.
23. Jezui po ecte në tempull në portikun e Solomonit.
24. Atëherë judenjtë e rrethuan dhe i thanë: «Deri kur do të na e mbash mendjen pezull? Nëse je ti Krishti, na e thuaj hapur».
25. Jezui u përgjigj:«Unë jua thashë, por ju nuk besoni. Veprat që unë bëj në emër të Atit tim dëshmojnë për mua,
26. por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia.
27. Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin pas.
28. Unë u jap atyre jetën e amshuar. Ato nuk do të humbasin kurrë dhe askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.
29. Ati im, që m’i ka dhënë, është më i madh se të gjithë dhe askush nuk mund të rrëmbejë gjë nga dora e tij.
30. Unë dhe Ati jemi një».