10. Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t'i binden popujt.
11. Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit.
12. Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.
13. Zabuloni do të banojë në breg të deteve; dhe do të përbëjë një vendstrehim për anijet; kufiri i tij do të zgjatet drejt Sidonit.
14. Isakari është një gomar i fuqishëm, i shtrirë nëpër vathë.
15. Ai e pa që çlodhja është e mirë dhe që vendi është i këndshëm; ai përkuli kurrizin për të mbajtur peshën dhe u bë një shërbëtor i punës së detyruar.
16. Dani do ta gjykojë popullin e tij, si një nga fiset e Izraelit.
17. Dani do të jetë një gjarpër në rrugë, një nepërkë nëpër shteg, që kafshon thembrat e kalit, kështu që kalorësi rrëzohet së prapthi.
18. Unë pres shpëtimin tënd, o Zot!
19. Një bandë grabitësish do të sulmojë Gadin, por edhe ai do t'i sulmojë këmba këmbës.
20. Nga Asheri do të vijë buka e shijshme dhe ai do të japë kënaqësira reale.
21. Neftali është një drenushe e lënë e lirë, ai thotë fjalë të bukura.
22. Jozefi është një degë e një druri frytdhënës; një degë e një druri frytdhënës që ndodhet pranë një burimi; degët e tij shtrihen mbi murin.