8. Çdo të shtunë ai do t'i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.
9. Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t'i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Është një ligj i përjetshëm".
10. Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.
11. Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).
12. E futën në burg, derisa t'u tregohej vullneti i Zotit.
13. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
14. "Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.
15. Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.
16. Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.
17. Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.
18. Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.
19. Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;
20. thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.
21. Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.
22. Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".