kapitujt

  1. 1
  2. 2
  3. 3
  4. 4
  5. 5
  6. 6
  7. 7
  8. 8
  9. 9
  10. 10
  11. 11
  12. 12
  13. 13
  14. 14
  15. 15
  16. 16
  17. 17
  18. 18
  19. 19
  20. 20
  21. 21
  22. 22
  23. 23
  24. 24
  25. 25
  26. 26
  27. 27

Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 24 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

2. "Urdhëro bijtë e Izraelit të të sjellin vaj të pastër ullinjsh të shtypur për dritën e shandanit, për t'i mbajtur llambat vazhdimisht të ndezura.

3. Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që është përpara dëshmisë, Aaroni do të kujdeset për vazhdimësinë nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj.

4. Ai do të kujdeset për llambat e shandanit prej floriri të pastër që janë para Zotit, për vazhdimësinë.

5. Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës.

6. Do t'i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit.

7. Dhe në çdo radhë do të vësh temjan të pastër, i cili ka për të qenë një kujtim mbi bukën, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin.

8. Çdo të shtunë ai do t'i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.

9. Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t'i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Është një ligj i përjetshëm".

10. Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.

11. Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).

12. E futën në burg, derisa t'u tregohej vullneti i Zotit.

13. Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

14. "Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.

15. Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.

16. Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.

17. Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.

18. Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.

19. Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;

20. thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.

21. Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.

22. Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".

23. Pastaj Moisiu u foli bijve të Izraelit, të cilët e çuan jashtë kampit atë blasfemues dhe e vranë me gurë. Kështu bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.