1. Sa të bukura janë këmbët e tua në këpucë, o bija e princit! Pjesët e rrumbullakëta të ijëve të tua janë si stoli, vepër e dorës së një artisti.
2. Kërthiza jote është një kupë e rrumbullakët, ku nuk mungon kurrë vera aromatike. Barku yt është një tog gruri, i rrethuar nga zambakë.
3. Dy gjinjtë e tu janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave.
4. Qafa jote është si një kullë fildishi, sytë e tu janë si ato të pellgjeve të Heshbonit pranë portës së Bath-Rabimit. Hunda jote është si kulla e Libanit, që shikon në drejtim të Damaskut.
5. Koka jote lartohet mbi ty si Karmeli dhe flokët e kokës sate janë purpur; një mbret u zu rob i gërshetave të tua.
6. Sa e bukur je dhe sa e hijshme je, o e dashura ime, me të gjitha ëndjet që siguron!
7. Shtati yt është i njëllojtë me atë të palmës dhe gjinjtë e tu janë si vile.
8. Kam thënë: "Do të ngjitem mbi palmë dhe do të kap degët e saj". Qofshin gjinjtë e tu si vilet e rrushit, aroma e frymës sate si ajo e mollëve,
9. dhe të puthurat e gojës sate si një verë e zgjedhur, që zbret ëmbël për të kënaqur dëshirën time, duke çikur shumë lehtë buzët e atij që fle.