1. Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt.
2. Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"".
3. Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit.
4. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet.
5. Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën.
6. Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër jebusenjve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbrit dhe çalamanët do të të sprapsin!", duke dashur të thonë: "Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu".
7. Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit).
8. Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund jebusenjtë, të arrijë deri në kanal dhe t'i sprapsë çalamanët dhe të verbrit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi".
9. Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brendshme.
10. Davidi bëhej gjithnjë më i madh dhe Zoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të.