Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Zbulesa 3:7-18 Bibla Shqip (ALBB)

7. ''Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.

8. Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.

9. Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t'i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.

10. Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.

11. Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.

12. Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.

13. Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave''.

14. ''Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.

15. Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

16. Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.

17. Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s'kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18. Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardha që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 3