Dhjata e Re

Zbulesa 6:1-8 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj e pashë Qengjin që theu një nga shtatë vulat dhe dëgjova një nga katër gjallesat që më tha me një zë që gjëmonte: «Eja!».

2. Pashë një kalë të bardhë dhe kalorësin që mbante një hark. Atij iu dha një kurorë. Ai u nis si fitimtar dhe për të fituar.

3. Kur Qengji theu vulën e dytë, dëgjova zërin e gjallesës së dytë që më tha: «Eja!».

4. Pastaj doli një kalë tjetër, një kalë i kuq, dhe kalorësit iu dha pushteti të hiqte paqen nga toka, që njerëzit të vrisnin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë e madhe.

5. Kur theu vulën e tretë, dëgjova zërin e gjallesës së tretë që më tha: «Eja!». Pashë një kalë të zi dhe kalorësin që mbante një peshore në dorë.

6. Dëgjova edhe një si zë që dilte nga mesi i katër gjallesave që tha: «Një kilogram grurë për një denar dhe tre kilogramë elb për një denar. Vajin dhe verën mos i prek!».

7. Kur theu vulën e katërt, dëgjova zërin e gjallesës së katërt që më tha: «Eja!».

8. Pashë një kalë të zbehtë dhe kalorësin që e kishte emrin Vdekja. Pas tij vinte ferri. Atyre iu ishte dhënë pushteti për të vrarë një të katërtën e tokës me shpatë, me zi buke, me epidemi dhe me bishat e tokës.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 6