Dhjata e Re

Zbulesa 3:9-22 Së Bashku (ALNT)

9. Ja se ç’do t’u bëj atyre nga sinagoga e Satanit që thonë se janë judenj, por nuk janë dhe gënjejnë. Do t’i bëj të vijnë e të bien në gjunjë para këmbëve të tua, që ta marrin vesh se unë të kam dashur.

10. Ti e ke zbatuar fjalën time dhe ke bërë durim, prandaj edhe unë do të të ruaj nga sprova e ardhshme që do të vijë mbi gjithë botën për të sprovuar banorët e tokës.

11. Po vij shpejt. Mbaji fort ato që ke, që askush mos të ta rrëmbejë kurorën.

12. Atë që fiton, do ta bëj kolonë në tempullin e Perëndisë tim dhe ai nuk do të dalë kurrë jashtë tij. Në të do të shkruaj emrin e Perëndisë tim dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jerusalemit të ri, që zbret prej qiellit nga Perëndia im. Do të shkruaj edhe emrin tim të ri.

13. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë.»

14. «Engjëllit të kishës në Laodice shkruaji:Kështu thotë Amen-i, dëshmitari besnik dhe i vërtetë, burimi i çdo gjëje të krijuar nga Perëndia:

15. I njoh veprat e tua. Nuk je as i ftohtë, as i nxehtë. Sa mirë do të ishte të ishe i ftohtë ose i nxehtë!

16. Por meqenëse je kështu i vakët, as i nxehtë, as i ftohtë, do të të vjell nga goja.

17. Ti thua: “Jam i pasur dhe kam vënë pasuri të madhe. Nuk kam nevojë për asgjë.” Por ti nuk e di që je i mjerë dhe i gjorë, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.

18. Të këshilloj të blesh nga unë ar të pastruar në zjarr, që të pasurohesh, si dhe rroba të bardha që të mbulohesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate. Lyej edhe sytë me kolir që të shohësh.

19. Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që dua. Ji, pra, i zellshëm dhe pendohu!

20. Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas. Nëse dikush ma dëgjon zërin dhe ma hap derën, unë do të hyj dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

21. Atë që fiton do ta vë të ulet me mua në fronin tim, ashtu siç fitova unë dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.

22. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë».

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 3