Dhjata e Re

Zbulesa 22:8-17 Së Bashku (ALNT)

8. Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m’i tregoi, për ta adhuruar atë.

9. Por ai më tha:«Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!».

10. Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, sepse koha e tyre është afër.

11. I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi le të vazhdojë të jetë i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti le të vazhdojë të shenjtërohet.»

12. «Ja ku po vij shpejt!» - thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t’i jap secilit sipas veprave të tij.

13. Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.

14. Lum ata që i lajnë rrobat e veta me gjakun e Qengjit, se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës dhe të hyjnë në qytet nga portat.

15. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.

16. Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t’ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit».

17. Shpirti i Shenjtë dhe nusja thonë: «Eja!».Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!».Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 22