Dhjata e Re

Zbulesa 22:2-15 Së Bashku (ALNT)

2. Në mes të sheshit të qytetit, në të dyja anët e lumit ishte pema e jetës, që jep dymbëdhjetë fryte, nga një në çdo muaj, ndërsa gjethet e saj shërbejnë për shërimin e kombeve.

3. Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë.

4. Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë.

5. Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t’i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

6. Pastaj engjëlli më tha:«Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t’u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti.

7. “Ja ku po vij shpejt!” - thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!».

8. Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m’i tregoi, për ta adhuruar atë.

9. Por ai më tha:«Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!».

10. Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, sepse koha e tyre është afër.

11. I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi le të vazhdojë të jetë i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti le të vazhdojë të shenjtërohet.»

12. «Ja ku po vij shpejt!» - thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t’i jap secilit sipas veprave të tij.

13. Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.

14. Lum ata që i lajnë rrobat e veta me gjakun e Qengjit, se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës dhe të hyjnë në qytet nga portat.

15. Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 22