Dhjata e Re

Zbulesa 21:13-24 Së Bashku (ALNT)

13. Tri porta ishin nga lindja, tri nga veriu, tri nga jugu e tri nga perëndimi.

14. Muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele, mbi të cilat ishin shkruar dymbëdhjetë emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.

15. Ai që fliste me mua kishte një shkop të artë matës për të matur qytetin, portat dhe murin e tij.

16. Qyteti shtrihej në formë katrore dhe e kishte gjatësinë sa gjerësia. Engjëlli e mati qytetin me matës dhe ishte dymijë e katërqind kilometra i gjatë. Gjatësia, gjerësia dhe lartësia ishin të barabarta.

17. Mati edhe murin që ishte gjashtëdhjetë e gjashtë metra. Engjëlli përdori të njëjtën masë që përdor njeriu.

18. Veshja e murit ishte prej diaspri, ndërsa qyteti vetë ishte prej ari të kulluar, të pastër si qelqi.

19. Themelet e murit të qytetit ishin zbukuruar me të gjithë gurët e çmuar. Themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,

20. i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krisopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti dhe i dymbëdhjeti prej ametisti.

21. Dymbëdhjetë portat kishin dymbëdhjetë margaritarë. Secila portë ishte bërë nga i njëjti margaritar, ndërsa sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar si qelq i tejdukshëm.

22. Tempull nuk pashë në qytet, sepse tempulli i tij është Zoti Perëndi i gjithëpushtetshëm dhe Qengji.

23. Qyteti nuk ka nevojë as për diell e as për hënë që të ndriçohet, sepse atë e ndriçon lavdia e Perëndisë dhe pishtari i tij është Qengji.

24. Kombet do të ecin me dritën e tij dhe mbretërit e tokës do të sjellin aty lavdinë e tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 21