Dhjata e Re

Zbulesa 21:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Pastaj pashë një qiell të ri dhe një tokë të re. Qielli i parë dhe toka e parë ishin zhdukur dhe as deti nuk ishte më.

2. Pashë edhe qytetin e shenjtë, Jerusalemin e ri, që zbriste nga qielli prej Perëndisë, si një nuse e zbukuruar për dhëndrin e saj.

3. Atëherë dëgjova një zë të lartë nga froni që tha:«Ja banesa e Perëndisë me njerëzit! Ai do të banojë me ta dhe ata do të jenë populli i tij. Vetë Perëndia do të jetë me ta dhe ai do të jetë Perëndia i tyre.

4. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund».

5. Ai që rrinte ulur në fron tha:«Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!». Pastaj më tha: «Shkruaj, sepse këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta!».

6. Dhe shtoi: «U kryen! Unë jam Alfa e Omega, fillimi e mbarimi. Atij që ka etje, do t’i jap të pijë falas nga burimi i ujit të jetës.

7. Ai që fiton, do t’i trashëgojë këto. Unë do të jem Perëndia i tij dhe ai do të jetë biri im.

8. Ndërsa frikacakët, të pafetë, ndyrësirat, vrasësit, kurvarët, magjistarët, idhujtarët dhe të gjithë gënjeshtarët do ta kenë vendin në liqenin që digjet me zjarr dhe me squfur». Kjo është vdekja e dytë.

9. Pastaj erdhi një nga shtatë engjëjt, që kishin shtatë kupat e mbushura me shtatë plagët e fundit dhe më tha: «Eja të të tregoj nusen, gruan e Qengjit!».

10. Atëherë u rrëmbeva nga Shpirti i Shenjtë dhe engjëlli më çoi në majën e një mali të madh e të lartë. Atje më tregoi qytetin e shenjtë, Jerusalemin, që zbriste nga qielli prej Perëndisë.

11. Qyteti kishte lavdinë e Perëndisë dhe shkëlqente si gur i çmuar, si gur diaspri kristalor.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 21