Dhjata e Re

Zbulesa 2:7-17 Së Bashku (ALNT)

7. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë: atij që fiton, do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në parajsën e Perëndisë.»

8. «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji:Kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë:

9. E njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.

10. Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.

11. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë: ai që fiton nuk do të preket nga vdekja e dytë.»

12. «Engjëllit të kishës në Pergam shkruaji:Kështu thotë ai që ka shpatën e mprehtë me dy tehe:

13. E di ku banon, atje ku është froni i Satanit. E ke ruajtur emrin tim dhe nuk e ke mohuar besimin në mua edhe gjatë ditëve të Antipës dëshmitarit tim besnik, që u vra mes jush atje ku banon Satani.

14. Por kam disa gjëra kundër teje. Ke aty disa që ndjekin mësimin e Balaamit, që e mësonte Balakun t’i shtynte në mëkat bijtë e Izraelit, t’i bënte të hanin flijime idhujsh dhe të jepeshin pas kurvërisë.

15. Ke edhe nga ata që ndjekin mësimin e nikolaitëve.

16. Pendohu, pra! Përndryshe do të vij së shpejti dhe do t’i luftoj me shpatën e gojës time.

17. Kush ka veshë le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë: atij që fiton do t’i jap nga mana e fshehur. Do t’i jap edhe një gur të bardhë, ku do të jetë shkruar një emër i ri që askush nuk e di, përveç atij që e merr.»

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 2