Dhjata e Re

Zbulesa 2:1-10 Së Bashku (ALNT)

1. «Engjëllit të kishës në Efes shkruaji:Kështu thotë ai që mban shtatë yjet në dorën e tij të djathtë, ai që ecën mes shtatë shandanëve të artë:

2. I njoh veprat e tua, mundimin dhe durimin tënd. Di edhe se nuk i duron të këqijtë dhe i vure në provë ata që e quajnë veten apostuj, por që në të vërtetë nuk janë dhe që të dolën gënjeshtarë.

3. Ke bërë durim, ke vuajtur për emrin tim dhe nuk je lodhur.

4. Por, kam diçka kundër teje. Dashurinë tënde të parë e harrove.

5. Kujtohu, pra, sa poshtë ke rënë, pendohu dhe bëj veprat e para. Nëse nuk pendohesh, do të vij dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi.

6. Por ti ke këtë të mirë, se i urren veprat e nikolaitëve, që edhe unë i urrej.

7. Kush ka veshë, le të dëgjojë çfarë u thotë kishave Shpirti i Shenjtë: atij që fiton, do t’i jap të hajë nga pema e jetës, që është në parajsën e Perëndisë.»

8. «Engjëllit të kishës në Smirnë shkruaji:Kështu thotë i pari dhe i fundit, që vdiq, por u kthye në jetë:

9. E njoh pikëllimin dhe varfërinë tënde, por je i pasur. I di edhe fyerjet që thonë kundër teje ata që hiqen se janë judenj e që në të vërtetë nuk janë, por janë sinagogë e Satanit.

10. Mos ki frikë nga ato që do të vuash! Ja, djalli do të hedhë disa prej jush në burg, që të viheni në provë dhe për dhjetë ditë do të keni pikëllim. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës.

Lexoni kapitullin e plotë Zbulesa 2