Dhjata e Re

Veprat 8:24-40 Së Bashku (ALNT)

24. Atëherë Simoni u përgjigj: «Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos më ndodhë asgjë nga këto që thatë».

25. Pasi dëshmuan dhe predikuan fjalën e Zotit, Pjetri e Gjoni u kthyen në Jerusalem, duke u predikuar ungjillin shumë vendeve të Samarisë.

26. Një engjëll i Zotit i foli Filipit e i tha: «Ngrihu e shko drejt jugut, në rrugën që zbret nga Jerusalemi në Gazë». Ajo është një rrugë e shkretë.

27. Filipi u ngrit e shkoi.Ai pa një eunuk etiopas, zyrtar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së etiopasve, kujdestar i tërë thesarit të saj. Ky kishte qenë në Jerusalem për të adhuruar

28. e tani po kthehej, i ulur në karrocën e vet, duke lexuar profetin Isaia.

29. Atëherë Shpirti i Shenjtë i tha Filipit: «Shko e hip në atë karrocë!».

30. Filipi shkoi me vrap, e dëgjoi eunukun duke lexuar profetin Isaia e i tha: «A e kupton atë që po lexon?».

31. Ai i tha: «E si mund ta kuptoj po nuk më udhëzoi dikush?». Pastaj e ftoi Filipin të hipte në karrocë e të ulej pranë tij.

32. Pjesa e Shkrimit të shenjtë që ai po lexonte ishte kjo: E çuan si dele për t’u therur, si qengjin që shkon për t’u qethur pa bërë zë e ai nuk e hapi gojën.

33. E poshtëruan dhe ia mohuan drejtësinë. E kush mund të flasë për pasardhësit e tij? Sepse jetës së tij i dhanë fund mbi tokë.

34. Eunuku e pyeti Filipin: «Të lutem, për kë e thotë këtë gjë profeti? Për veten e tij apo për ndonjë tjetër?».

35. Atëherë Filipi filloi të fliste e duke u nisur nga kjo pjesë e Shkrimit të shenjtë, i shpalli ungjillin, Jezuin.

37 . Filipi i tha: «Nëse beson me gjithë zemër, mund të pagëzohesh». Ai iu përgjigj: «Unë besoj se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë».

38. Ai urdhëroi të ndalej karroca. Filipi dhe eunuku shkuan tek uji dhe Filipi e pagëzoi.

39. Kur dolën nga uji, Shpirti i Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më. Pastaj shkoi plot gëzim udhës së vet.

40. Filipi u gjend në Azot dhe, gjatë udhës, u predikonte ungjillin të gjitha qyteteve, derisa arriti në Cezare.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 8