Dhjata e Re

Veprat 5:6-23 Së Bashku (ALNT)

6. Atëherë disa të rinj u ngritën, e mbështollën, e morën dhe e varrosën.

7. Rreth tri orë më vonë hyri gruaja e Hananisë, e cila nuk dinte çfarë kishte ndodhur.

8. Pjetri e pyeti: «Më thuaj, për kaq e shitët tokën?».Ajo i tha: «Po, për kaq».

9. Atëherë Pjetri i tha: «Pse u bëtë në një mendje për të vënë në provë Shpirtin e Zotit? Ja, janë te dera ata që varrosën burrin tënd dhe që do të të mbartin edhe ty që këtej».

10. Dhe menjëherë ajo u rrëzua te këmbët e tij e dha shpirt.Kur të rinjtë hynë brenda, e gjetën të vdekur. Atëherë e morën edhe atë që andej dhe e varrosën pranë burrit të vet.

11. Të gjithë kishën e të gjithë ata që dëgjuan këto i zuri një frikë e madhe.

12. Në popull bëheshin shumë mrekulli e shenja përmes duarve të apostujve. Të gjithë mblidheshin bashkë te Portiku i Solomonit.

13. Askush prej të tjerëve nuk guxonte të bashkohej me ta, ndërsa populli i nderonte.

14. Kështu numri i burrave dhe i grave që besonin në Zotin rritej gjithnjë e më shumë.

15. Të sëmurët i nxirrnin nëpër sheshe e i vendosnin nëpër shtroja e vigje, që kur të kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të binte mbi ndonjë prej tyre.

16. Në Jerusalem u mblodh një numër i madh njerëzish nga qytetet përreth. Ata sollën të sëmurët e ata që mundoheshin nga shpirtrat e ndyrë dhe të gjithë u shëruan.

17. Atëherë kryeprifti e të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, u mbushën me smirë

18. dhe i kapën apostujt e i futën në burg.

19. Por gjatë natës një engjëll i Zotit hapi dyert e burgut, i nxori prej andej e u tha:

20. «Shkoni, hyni në tempull e ia shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete të re».

21. Kur dëgjuan këtë gjë, ata hynë në tempull në agim e filluan të mësonin njerëzit.Kur arriti kryeprifti dhe ata që ishin me të, mblodhi sinedrin e tërë pleqësinë e bijve të Izraelit dhe dërguan disa roja që të sillnin apostujt nga burgu.

22. Po kur rojat arritën në burg, nuk i gjetën apostujt atje. Atëherë u kthyen dhe njoftuan:

23. «Ne e gjetëm burgun të mbyllur e të siguruar mirë dhe rojat e tij duke qëndruar në këmbë te dyert. Po kur i hapëm dyert nuk gjetëm askënd brenda».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 5