Dhjata e Re

Veprat 4:27-37 Së Bashku (ALNT)

27. Në këtë qytet, në të vërtetë, janë mbledhur së bashku Herodi e Ponc Pilati bashkë me kombet pagane dhe popullin e Izraelit kundër Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë, të cilin ti e vajose si Krisht,

28. që të bënte ato që dora jote e vullneti yt kishte paracaktuar të ndodhnin.

29. E tani, o Zot, shikoji kërcënimet e tyre dhe bëj që shërbëtorët e tu ta flasin fjalën tënde me plot guxim.

30. Shtrije dorën tënde për të shëruar e bëj që të ndodhin mrekulli e shenja përmes emrit të Jezuit, shërbëtorit tënd të shenjtë».

31. Kur u lutën ata, vendi ku ishin mbledhur së bashku u trondit. Atëherë u mbushën me Shpirtin e Shenjtë dhe shpallën me guxim fjalën e Perëndisë.

32. Të gjithë ata që kishin besuar, ishin në një zemër e në një shpirt dhe askush nuk i quante të vetat gjërat që kishte, por gjithçka e kishin të përbashkët.

33. Apostujt dëshmonin me shumë fuqi për ngjalljen e Zotit Jezu dhe Perëndia u jepte shumë hir të gjithëve.

34. Mes tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse ata që kishin toka apo shtëpi, i shisnin dhe fitimin e sillnin

35. dhe ua dorëzonin apostujve. Pastaj apostujt i jepnin secilit sipas nevojës.

36. Edhe Jozefi, një levit i lindur në Qipro, të cilit apostujt i kishin vënë emrin Barnabë, që do të thotë «bir i ngushëllimit»,

37. shiti një arë të vetën dhe paratë i solli e ua dorëzoi apostujve.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 4