Dhjata e Re

Veprat 4:13-21 Së Bashku (ALNT)

13. Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit, e kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin.

14. Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin.

15. Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin

16. e të thoshin: «Ç’të bëjmë me këta njerëz? Të gjithë banorët e Jerusalemit e dinë mirë se përmes tyre është bërë një mrekulli që duket qartë dhe ne nuk mund ta mohojmë.

17. Por, që kjo gjë të mos përhapet më shumë në popull, t’i kërcënojmë që të mos i flasin më njerëzve në emër të Jezuit».

18. Atëherë i thirrën dhe i urdhëruan që të mos flisnin e të mos mësonin kurrsesi njerëzit në emër të Jezuit.

19. Por Pjetri e Gjoni u përgjigjën: «Gjykojeni vetë nëse është e drejtë para Perëndisë t’ju dëgjojmë ju apo Perëndinë?

20. Ne nuk mund të rrimë pa folur për ato që kemi parë e dëgjuar».

21. Ata, pasi nuk gjetën arsye për t’i dënuar, i kërcënuan dhe i lanë të lirë për shkak të popullit, sepse të gjithë e përlëvdonin Perëndinë për atë që kishte ndodhur.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 4