Dhjata e Re

Veprat 4:1-15 Së Bashku (ALNT)

1. Kur Pjetri e Gjoni po i flisnin popullit, priftërinjtë, kryeroja i tempullit e saducenjtë iu afruan atyre

2. të zemëruar që këta po mësonin popullin e po shpallnin se të vdekurit do të ngjallen përmes Jezuit.

3. Atëherë i kapën e i mbajtën në burg deri të nesërmen, meqë tashmë ishte mbrëmje.

4. Shumë prej atyre që e kishin dëgjuar fjalën e Pjetrit, besuan dhe numri i burrave që besuan arriti në rreth pesë mijë.

5. Të nesërmen krerët e judenjve, pleqtë dhe skribët, u mblodhën në Jerusalem

6. me kryepriftin Hana, me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin e të gjithë ata të familjes kryepriftërore.

7. Ndërsa Pjetri e Gjoni qëndronin në këmbë në mes tyre, ata i pyetën: «Me ç’fuqi apo në emër të kujt e bëtë këtë gjë?».

8. Atëherë Pjetri, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, u tha:«Krerë të popullit e pleq të Izraelit,

9. ju po na merrni në pyetje sot për një vepër të mirë që i kemi bërë një të sëmuri dhe doni të dini sesi u shërua ky njeri.

10. Dijeni, pra, të gjithë ju e mbarë populli i Izraelit se ky njeri që po qëndron para jush, është shëruar në emrin e Jezu Krishtit të Nazaretit, të cilin ju e kryqëzuat e Perëndia e ngjalli prej të vdekurve.

11. Jezui është guri që ju ndërtuesit e hodhët tej e që u bë guri i qoshes.

12. Shpëtimi nuk vjen nga askush tjetër dhe njerëzve nuk u është dhënë asnjë emër tjetër nën qiell, përmes të cilit do të mund të shpëtoheshim».

13. Kur panë guximin e Pjetrit e të Gjonit, e kur u kujtuan se këta ishin njerëz pa shkollë e të thjeshtë, ata u habitën, sepse i njihnin dhe e dinin se kishin qenë me Jezuin.

14. Pastaj panë se njeriu që ishte shëruar po rrinte me ta, por nuk kishin çfarë të thoshin.

15. Megjithatë, i urdhëruan të dilnin nga sinedri e filluan të këshilloheshin me njëri-tjetrin

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 4