Dhjata e Re

Veprat 3:13-26 Së Bashku (ALNT)

13. Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte.

14. Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi.

15. Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë.

16. Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.

17. E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj.

18. Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante.

19. Prandaj pendohuni e kthehuni që t’ju shlyhen mëkatet,

20. që të vijë koha kur Zoti do t’ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë.

21. Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.

22. Moisiu ka thënë: Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t’ju thotë!

23. Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset nga populli.

24. Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë.

25. Ju jeni bijtë e profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: Nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.

26. Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t’ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 3