Dhjata e Re

Veprat 28:16-31 Së Bashku (ALNT)

16. Pasi mbërritën në Romë, Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.

17. Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha:«Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve.

18. Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje.

19. Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj që të gjykohem prej Cezarit.Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim.

20. Prandaj edhe kam kërkuar t’ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».

21. Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty.

22. Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».

23. Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t’i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.

24. Disa u bindën prej gjërave që tha, ndërsa të tjerët nuk besuan.

25. Kështu ata nuk ranë në një mendje me njëri-tjetrin dhe kur po largoheshin, Pali u tha: «Mirë u foli Shpirti i Shenjtë, etërve tuaj me anë të profetit Isaia

26. kur tha: Shko te ky popull e thuaji: kanë veshë për të dëgjuar, por nuk kuptojnë, kanë sy për të parë, por nuk shikojnë.

27. Zemra e këtij populli është bërë e pandjeshme dhe u janë rënduar veshët. I kanë mbyllur sytë që të mos shohin me sy, të mos dëgjojnë me veshë, të mos kuptojnë me zemër, që të mos kthehen tek unë për t’i shëruar.

29 . Pasi tha këto fjalë, judenjtë u larguan duke diskutuar me njëri-tjetrin.».

30. Pali qëndroi plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira, ku edhe priste të gjithë ata që shkonin tek ai.

31. Ai u predikonte mbretërinë e Perëndisë dhe i mësonte të vërtetën e Zotit Jezu Krisht gjithë guxim e pa ngurruar.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 28