Dhjata e Re

Veprat 28:14-23 Së Bashku (ALNT)

14. Aty gjetëm disa vëllezër besimtarë vendas, të cilët na u lutën të rrinim me ta shtatë ditë. Pastaj shkuam në Romë.

15. Vëllezërit besimtarë që ishin atje, kur dëgjuan për ne, erdhën që nga Forumi i Apit e nga Tri Tavernat për të na takuar. Kur i pa, Pali falënderoi Perëndinë e mori zemër.

16. Pasi mbërritën në Romë, Palin e lejuan të jetonte vetëm dhe i vunë një ushtar për ta ruajtur.

17. Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e judenjve dhe kur u mblodhën, u tha:«Vëllezër, edhe pse nuk kam bërë asgjë kundër popullit tonë apo traditave të etërve tanë, më kapën në Jerusalem dhe më dorëzuan në duart e romakëve.

18. Pasi më morën në pyetje, romakët deshën të më lironin, sepse nuk gjetën asnjë faj që të më dënonin me vdekje.

19. Por judenjtë kundërshtuan dhe unë u detyrova të kërkoj që të gjykohem prej Cezarit.Këtë nuk e bëra për të ngritur ndonjë padi kundër popullit tim.

20. Prandaj edhe kam kërkuar t’ju takoj e të flas me ju, sepse unë jam nën këto pranga për shkak të atij tek i cili shpreson edhe Izraeli».

21. Ata i thanë: «Nuk kemi marrë asnjë letër nga Judeja për ty dhe asnjë nga vëllezërit judenj që kanë ardhur këtu, nuk na ka treguar gjë e as ka folur keq për ty.

22. Megjithatë, ne duam të dëgjojmë nga ti çfarë mendon, sepse e dimë se kudo flitet kundër këtij sekti».

23. Ata caktuan një ditë për ta takuar dhe shumë veta shkuan atje ku banonte ai. Që nga mëngjesi deri në mbrëmje ai u shtjellonte dhe u predikonte për mbretërinë e Perëndisë dhe përpiqej t’i bindte për Jezuin, duke filluar që nga ligji i Moisiut e deri te librat e profetëve.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 28