Dhjata e Re

Veprat 28:1-12 Së Bashku (ALNT)

1. Pasi shpëtuam, morëm vesh se ishulli quhej Maltë.

2. Vendasit treguan një dashamirësi të pazakontë ndaj nesh. Ata ndezën një zjarr e na mblodhën të gjithëve rreth tij, sepse kishte filluar të binte shi e bënte ftohtë.

3. Pali kishte mbledhur një krah dru dhe po i vinte në zjarr kur iu lidh rreth dorës një nepërkë, që doli për shkak të të nxehtit.

4. Kur e panë vendasit gjarprin që varej në dorën e tij, i thanë njëri-tjetrit: «Ky njeri duhet të jetë vrasës. Edhe pse i shpëtoi detit, drejtësia hyjnore nuk e lejoi të jetojë».

5. Pali e shkundi gjarprin në zjarr e nuk pësoi asgjë të keqe.

6. Ata po prisnin që të ënjtej, apo të binte i vdekur menjëherë, por, pasi pritën shumë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndërruan mendje e filluan të thoshin se ai ishte perëndi.

7. Afër atij vendi gjendeshin tokat e të parit të ishullit me emrin Publi. Ai na priti e na strehoi miqësisht për tri ditë.

8. I ati i Publit ishte i sëmurë në shtrat me ethe e dizenteri. Pali iu afrua atij, u lut, shtriu duart mbi të dhe e shëroi.

9. Pasi ndodhi kjo gjë, edhe të sëmurët e tjerë të ishullit erdhën te Pali dhe u shëruan.

10. Ata na nderuan shumë dhe, kur po niseshim, na dhanë me vete gjithçka që na nevojitej.

11. Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që e kishte kaluar dimrin në ishull dhe që mbante emblemën e Dioskurëve.

12. U ndalëm në Sirakuzë e ndenjëm aty tri ditë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 28