Dhjata e Re

Veprat 27:27-44 Së Bashku (ALNT)

27. Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në Detin Mesdhe, rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës.

28. Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra. Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra.

29. Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt.

30. Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash.

31. Pali i tha centurionit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni».

32. Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det.

33. Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka dhe u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë.

34. Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku».

35. Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante.

36. Atëherë të gjithë morën zemër dhe hëngrën.

37. Të gjithë bashkë bëheshim dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë veta.

38. Pasi u ngopën, e hodhën drithin në det dhe e lehtësuan anijen.

39. Kur zbardhi, panë tokë, por nuk e dinin ku ishin. Atëherë vunë re një gji me një breg ranor dhe aty donin ta nxirrnin anijen, po të mundnin.

40. Kështu shkëputën spirancat nga anija dhe i lanë të binin në det. Në të njëjtën kohë liruan litarët e timonëve. Pastaj ngritën velin ballor që ta kapte era dhe u drejtuan drejt bregut.

41. Por hasën në një cekëtinë dhe anija ngeci në rërë. Bashi u ngul në rërë, ndërsa kiçi po copëtohej nga forca e dallgëve.

42. Ushtarët menduan t’i vrisnin të burgosurit, që asnjeri nga ata të mos ikte me not,

43. por centurioni, që donte të shpëtonte Palin, i ndaloi ta bënin këtë. Ata që mund të notonin, i urdhëroi të hidheshin nga anija e të shkonin drejt tokës,

44. ndërsa të tjerët të kapeshin pas ndonjë dërrase apo ndonjë cope të mbetur nga anija. Kështu të gjithë arritën shëndoshë e mirë në breg.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 27