Dhjata e Re

Veprat 27:22-36 Së Bashku (ALNT)

22. Tani ju këshilloj që të mos ju lëshojë zemra, sepse asnjëri prej jush nuk do ta humbë jetën, por anija do të shkatërrohet.

23. Mbrëmë m’u shfaq një engjëll i Perëndisë, të cilit i përkas dhe të cilin adhuroj

24. e më tha: “Mos ki frikë, o Pal! Ti duhet do të dalësh para Cezarit dhe prandaj Perëndia ua ka falur jetën të gjithëve atyre që po lundrojnë me ty.”

25. Kështu, merrni zemër, se unë kam besim në Perëndinë se do të bëhet ashtu siç më tha engjëlli.

26. Ne do të përfundojmë në një ishull».

27. Ishte nata e katërmbëdhjetë dhe, ndërsa po lundronim në Detin Mesdhe, rreth mesnatës detarët menduan se po i afroheshin tokës.

28. Atëherë lëshuan matësin e thellësisë dhe panë se thellësia ishte rreth tridhjetë e shtatë metra. Pak më vonë e matën përsëri thellësinë dhe ajo ishte njëzet e tetë metra.

29. Nga frika se mos përplaseshim me ndonjë shkëmb, hodhën katër spiranca nga kiçi dhe uronin që të zbardhte sa më shpejt.

30. Detarët donin ta braktisnin anijen dhe kishin ulur varkën e shpëtimit në det, gjoja për të vënë spirancat në bash.

31. Pali i tha centurionit dhe ushtarëve: «Nëse këta njerëz nuk qëndrojnë në anije, ju nuk do të mund të shpëtoni».

32. Atëherë ushtarët i prenë litarët e varkës së shpëtimit dhe e lanë të binte në det.

33. Ndërsa prisnin që të zbardhte, Pali i nxiti të gjithë të hanin diçka dhe u tha: «Sot është dita e katërmbëdhjetë që prisni të uritur e pa ngrënë asgjë.

34. Prandaj po ju këshilloj të hani diçka nëse doni të jetoni. Askush nga ju nuk do të humbë as edhe një fije floku».

35. Pasi tha këto, mori bukën, falënderoi Perëndinë para të gjithëve, e theu dhe filloi të hante.

36. Atëherë të gjithë morën zemër dhe hëngrën.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 27