Dhjata e Re

Veprat 26:21-32 Së Bashku (ALNT)

21. Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin.

22. Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t’i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin:

23. se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t’u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve pagane».

24. Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt».

25. Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta dhe të arsyeshme.

26. Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi.

27. O mbret Agripë, a u beson profetëve? Unë e di se ti u beson».

28. Agripa i tha Palit: «Për pak edhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë».

29. Pali u përgjigj: «Unë i lutem Perëndisë që herët a vonë jo vetëm ti, por edhe që të gjithë ata që po më dëgjojnë sot të bëhen si unë, përveç këtyre prangave!».

30. Atëherë mbreti, qeveritari, Bernika dhe të gjithë ata që ishin ulur me ta u ngritën

31. dhe kur po dilnin, i thoshin njëri-tjetrit: «Ky njeri nuk ka bërë asgjë, që të meritojë vdekjen apo burgimin».

32. Agripa i tha Festit: «Po të mos kishte kërkuar të gjykohej prej Cezarit, ky njeri mund të ishte lënë i lirë».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 26