Dhjata e Re

Veprat 26:18-25 Së Bashku (ALNT)

18. që t’u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve dhe do të jenë mes atyre që i përkasin Perëndisë.”»

19. «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor,

20. por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet pagane, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar.

21. Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin.

22. Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t’i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin:

23. se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t’u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve pagane».

24. Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt».

25. Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta dhe të arsyeshme.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 26