Dhjata e Re

Veprat 26:16-26 Së Bashku (ALNT)

16. por ngrihu e qëndro në këmbë. T’u shfaqa që të të bëj shërbëtorin tim e që të dëshmosh ato që pe dhe ato që do të të tregoj.

17. Unë do të të mbroj edhe nga populli yt, edhe nga kombet pagane, te të cilat po të dërgoj

18. që t’u hapësh sytë, që të kthehen nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia. Kështu me anë të besimit në mua, do të marrin faljen e mëkateve dhe do të jenë mes atyre që i përkasin Perëndisë.”»

19. «Pas kësaj, o mbret Agripë, unë nuk mund të tregohesha i pabindur ndaj vegimit qiellor,

20. por fillova të predikoj së pari në Damask e në Jerusalem, dhe pastaj në mbarë krahinën e Judesë, si edhe te kombet pagane, se ata duhet të pendohen e të kthehen te Perëndia dhe se duhet të bëjnë vepra që tregojnë se janë penduar.

21. Për këtë arsye judenjtë më kapën në tempull dhe u orvatën të më vrisnin.

22. Deri më sot më ka ndihmuar Perëndia dhe unë jam këtu për t’i dhënë dëshmi të madhit e të voglit. Unë nuk them asgjë tjetër, përveç atyre që thanë profetët dhe Moisiu se do të ndodhnin:

23. se Krishti do të vuante, do të ngjallej i pari prej të vdekurve e do t’u bënte të njohur dritën edhe popullit tonë, edhe kombeve pagane».

24. Ndërsa Pali po thoshte këto fjalë në mbrojtje të vetes, Festi tha me zë të lartë: «Ke lajthitur, Pal! Po çmendesh nga të mësuarit e tepërt».

25. Por Pali tha: «Nuk kam lajthitur, o i madhërishmi Fest, por po them fjalë të vërteta dhe të arsyeshme.

26. Mbreti i njeh mirë këto gjëra, prandaj unë flas hapur me të. Jam i sigurt se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse këto nuk kanë ndodhur në fshehtësi.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 26