Dhjata e Re

Veprat 25:15-27 Së Bashku (ALNT)

15. Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij dhe më kërkuan ta dënoj.

16. Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve që ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë.

17. Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova që të ma sillnin atë njeri.

18. Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë.

19. Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me një farë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë.

20. Meqë nuk dija si ta hetoja këtë çështje, e pyeta nëse dëshironte të shkonte në Jerusalem e të gjykohej atje për këto gjëra,

21. por Pali kërkoi që të mbahej i burgosur, derisa çështja t’i kalonte për gjykim Lartmadhërisë së tij. Prandaj urdhërova që ta ruanin derisa të mund ta dërgoj te Cezari».

22. Agripa i tha Festit: «Dëshiroj ta dëgjoj edhe unë vetë këtë njeri».Festi i tha: «Nesër do ta dëgjosh».

23. Të nesërmen Agripa dhe Bernika erdhën me shumë madhështi. Ata hynë në sallë me komandantët e kohortave dhe me burrat e rëndësishëm të qytetit. Atëherë Festi dha urdhër që të sillnin Palin.

24. Festi tha:«O mbret Agripë dhe të gjithë ju që jeni këtu me ne, ky është njeriu për të cilin mbarë populli i Judesë më është drejtuar mua, edhe në Jerusalem, edhe këtu, me kërkesën që ky të mos jetojë më.

25. Por unë nuk gjeta tek ai asnjë faj që të meritojë vdekjen dhe meqenëse ai kërkoi të gjykohej para Lartmadhërisë së tij, vendosa që ta dërgoj atje.

26. Nuk kam asgjë të saktë që t’i shkruaj tim zoti për të. Për këtë arsye e solla para të gjithëve ju, veçanërisht para teje, o mbret Agripë, që, pasi ta kemi marrë në pyetje, të kem ç’ti shkruaj.

27. Sepse më duket e paarsyeshme të dërgoj një të burgosur pa shënuar edhe paditë që ngrihen kundër tij».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 25