Dhjata e Re

Veprat 25:1-11 Së Bashku (ALNT)

1. Tri ditë pasi kishte arritur në provincë, Festi shkoi nga Cezarea në Jerusalem.

2. Aty kryepriftërinjtë dhe krerët e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit. Ata iu lutën

3. dhe i kërkuan si nder që ta dërgonte Palin në Jerusalem. Ndërkohë kishin përgatitur një pritë për ta vrarë rrugës.

4. Festi u përgjigj se Pali ruhej në Cezare dhe se ai vetë do të shkonte së shpejti atje.

5. Ai u tha: «Atëherë, krerët tuaj le të vijnë me mua dhe, nëse ai njeri ka bërë ndonjë faj, le të ngrenë padi kundër tij».

6. Pasi ndenji mes tyre jo më shumë se tetë apo dhjetë ditë, Festi shkoi në Cezare. Të nesërmen u ul në fronin e gjykatësit dhe urdhëroi të sillnin Palin.

7. Kur arriti Pali, atë e rrethuan judenjtë që kishin ardhur nga Jerusalemi dhe bënë shumë padi të rënda kundër tij, por që nuk mund t’i vërtetonin.

8. Pali u mbrojt kështu: «Unë nuk kam bërë mëkat as kundër ligjit të judenjve, as kundër tempullit, as kundër Cezarit».

9. Por Festi, meqë donte t’u bënte nder judenjve, e pyeti Palin: «A dëshiron të shkosh në Jerusalem dhe të gjykohesh atje para meje për këto padi?».

10. Pali i tha: «Unë jam para gjykatës së Cezarit dhe këtu duhet të gjykohem. Judenjve nuk u kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti e di shumë mirë këtë.

11. Nëse jam në faj dhe nëse kam bërë diçka që meriton vdekjen, jam gati të vdes. Por, nëse nuk qëndron asnjë nga gjërat për të cilat më kanë paditur, askush nuk mund të më dorëzojë tek ata. Unë kërkoj që të gjykohem prej Cezarit».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 25