Dhjata e Re

Veprat 23:8-19 Së Bashku (ALNT)

8. Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto.

9. Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa skribë nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t’i ketë folur një shpirt apo një engjëll?».

10. Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, komandanti i kohortës pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët që të shkonin e t’ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.

11. Një natë më pas Zoti iu shfaq Palit dhe i tha: «Ki guxim! Sikurse ke dëshmuar për mua në Jerusalem, kështu duhet të dëshmosh edhe në Romë».

12. Në mëngjes judenjtë përgatitën një kurth dhe u betuan se nuk do të hanin e nuk do të pinin derisa ta vrisnin Palin.

13. Ata që u bashkuan me këtë kurth ishin më shumë se dyzet veta.

14. Shkuan te kryepriftërinjtë e pleqtë dhe u thanë: «Ne jemi betuar me vendosmëri që të mos vëmë gjë në gojë derisa ta vrasim Palin.

15. Prandaj tani ju dhe sinedri duhet të njoftoni komandantin e kohortës që ta sjellë te ju, duke u hequr sikur doni ta hetoni më me imtësi. Ndërsa ne jemi të gatshëm ta vrasim para se të arrijë këtu».

16. Djali i motrës së Palit dëgjoi për këtë pritë. Ai shkoi te fortesa dhe e lajmëroi Palin.

17. Pali thirri njërin nga centurionët dhe i tha: «Dërgoje këtë djalosh te komandanti i kohortës, sepse ka diçka për t’i thënë».

18. Ai e mori, e çoi te komandanti dhe i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri dhe më kërkoi që ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë».

19. Komandanti e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?».

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 23