Dhjata e Re

Veprat 23:17-27 Së Bashku (ALNT)

17. Pali thirri njërin nga centurionët dhe i tha: «Dërgoje këtë djalosh te komandanti i kohortës, sepse ka diçka për t’i thënë».

18. Ai e mori, e çoi te komandanti dhe i tha: «Pali, i burgosuri, më thirri dhe më kërkoi që ta sjell te ti këtë djalosh, se ka diçka për të të thënë».

19. Komandanti e mori për dore, shkoi mënjanë dhe e pyeti: «Çfarë ke për të më thënë?».

20. Ai iu përgjigj: «Judenjtë janë bërë në një mendje që të të kërkojnë ta çosh Palin nesër në sinedër, gjoja për ta hetuar më imtësisht.

21. Ti mos i dëgjo, sepse më shumë se dyzet burra prej tyre i kanë zënë pritë. Ata janë betuar se nuk do të hanë e as nuk do të pinë pa e vrarë atë. Tani ata janë gati dhe po presin vendimin tënd».

22. Atëherë komandanti i kohortës e nisi djaloshin dhe i tha: «Mos i trego askujt se më ke njoftuar!».

23. Atëherë ai thirri dy nga centurionët dhe u tha: «Përgatituni për t’u nisur rreth orës nëntë për në Cezare me dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shigjetarë.

24. Bëni gati një kalë edhe për Palin, që të shkojë shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks!».

25. Pastaj shkroi këtë letër:

26. «Klaud Lisia për madhërinë e tij qeveritarin Feliks, përshëndetje!

27. Ky njeri është kapur nga judenjtë që donin ta vrisnin, por pasi mësova se është qytetar romak, e shpëtova nga duart e tyre me anë të ushtarëve.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 23