1. Pali vështroi nga sinedri dhe tha: «Vëllezër, deri më sot kam jetuar me ndërgjegje të pastër para Perëndisë».
2. Atëherë kryeprifti Hanani i urdhëroi ata që ishin pranë Palit që ta godisnin Palin në gojë.
3. Por Pali i tha: «Ty do të godasë Perëndia, o mur i zbardhur! Je ulur për të më gjykuar sipas ligjit të Moisiut dhe, duke shkelur këtë ligj, urdhëron që të më godasin».
4. Ata që ishin aty thanë: «Ti po shan kryepriftin e Perëndisë?».
5. Por Pali u përgjigj: «Vëllezër, nuk e dija se ishte kryeprift, sepse Shkrimi i shenjtë thotë: Mos fol keq për krerët e popullit tënd!».
6. Meqenëse Pali e dinte se disa ishin saducenj e të tjerët farisenj, tha me zë të lartë në sinedër: «Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh. Unë po gjykohem, sepse shpresoj në ngjalljen e të vdekurve».
7. Sapo e tha këtë, farisenjtë dhe saducenjtë filluan të grinden mes tyre dhe sinedri u përça.
8. Në të vërtetë saducenjtë thonë se nuk ka as ngjallje, as engjëj e as shpirtra të tjerë, ndërsa farisenjtë i pranojnë të gjitha këto.
9. Atëherë u bë një zhurmë e madhe dhe disa skribë nga ana e farisenjve u ngritën e kundërshtuan me forcë: «Nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri. Po sikur t’i ketë folur një shpirt apo një engjëll?».
10. Meqenëse ata po grindeshin gjithnjë e më shumë, komandanti i kohortës pati frikë se mos e copëtonin Palin. Prandaj i urdhëroi ushtarët që të shkonin e t’ua rrëmbenin Palin nga duart dhe ta sillnin në fortesë.