Dhjata e Re

Veprat 22:14-30 Së Bashku (ALNT)

14. Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij.

15. Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar.

16. Dhe tani ç’pret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”».

17. «Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim

18. dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua.”

19. Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty.

20. Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin.”

21. Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet pagane”».

22. Deri këtu turma e dëgjoi, por pastaj bërtitën me zë të lartë: «Zhdukeni nga dheu këtë njeri. Ai nuk e meriton të jetojë».

23. Turma bërtiste, hidhte rrobat lart e ngrinte pluhur në ajër.

24. Atëherë komandanti i kohortës urdhëroi ta çonin Palin në fortesë dhe u tha ta marrin në pyetje duke e fshikulluar, që të gjenin arsyen pse judenjtë bërtisnin kështu kundër tij.

25. Por, pasi e lidhën me rrobat e tij, Pali i tha centurionit që rrinte pranë: «A ju lejohet të fshikulloni një qytetar romak pa i bërë gjyqin?».

26. Kur e dëgjoi këtë, centurioni shkoi te komandanti i kohortës dhe i tha: «Kujdes se çfarë po bën! Ky njeri është qytetar romak».

27. Komandanti erdhi dhe e pyeti Palin: «Më thuaj, a je romak?».Pali i tha: «Po».

28. Komandanti u përgjigj: «Mua më ka kushtuar shumë para që ta merrja qytetarinë romake».Pali i tha: «Ndërsa unë kam lindur i tillë».

29. Ata që do ta merrnin në pyetje u larguan menjëherë prej tij. Edhe komandantit të kohortës i hyri frika kur mori vesh se Pali ishte qytetar romak, sepse e kishte lidhur.

30. Ai donte të dinte me saktësi arsyen se përse po e padisnin judenjtë Palin, prandaj të nesërmen e liroi dhe urdhëroi kryepriftërinjtë e mbarë sinedrin që të mblidheshin. Pastaj solli edhe Palin dhe e nxori para tyre.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 22