Dhjata e Re

Veprat 20:15-33 Së Bashku (ALNT)

15. Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet.

16. Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.

17. Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin.

18. Kur erdhën ata, Pali u tha:«Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi,

19. duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve.

20. Ju e dini që nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar dhe ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju.

21. Unë u kam predikuar si judenjve, edhe paganëve që të pendohen para Perëndisë e të besojnë në Zotin tonë Jezu.

22. Dhe tani, i shtyrë nga Shpirti i Shenjtë, po shkoj në Jerusalem, pa e ditur se çfarë do të më ndodhë atje.

23. Shpirti i Shenjtë më ka dëshmuar në çdo qytet se më presin prangat dhe vuajtjet.

24. Megjithatë, për mua nuk ka rëndësi jeta ime, por rëndësi ka të përfundoj vrapimin që kam nisur dhe shërbesën që kam marrë nga Zoti Jezu për të dëshmuar ungjillin e hirit të Perëndisë.

25. Unë kam ardhur te ju dhe ju predikova për mbretërinë e Perëndisë, por tani unë e di se asnjëri prej jush nuk do të më shohë më.

26. Prandaj sot po ju them se unë nuk kam faj nëse ndonjëri nga ju humbet,

27. sepse unë nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar gjithçka në lidhje me vullnetin e Perëndisë për ju.

28. Ruajeni veten tuaj dhe tërë grigjën, mbi të cilën Shpirti i Shenjtë ju ka vënë mbikqyrës, që të kujdeseni për kishën e Perëndisë, të cilën ai e bleu me gjakun e vet.

29. E di se, pasi të jem larguar, do të hyjnë mes jush ujq grabitqarë, që nuk do ta kursejnë grigjën.

30. Madje edhe prej jush do të dalin njerëz që do t’ju mësojnë gjëra të gënjeshtërta për t’i tërhequr dishepujt pas vetes.

31. Prandaj, rrini zgjuar e kujtohuni se secilin e kam mësuar pa reshtur, me lot, ditë e natë, për tre vjet.

32. E tani po ju lë në dorë të Perëndisë dhe në fjalën e hirit të tij. Perëndia e ka fuqinë t’ju rrisë në besim dhe t’ju japë trashëgiminë bashkë me të gjithë të shenjtëruarit.

33. Unë nuk i kam kërkuar ndokujt as argjend, as ar e as rroba.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 20