Dhjata e Re

Veprat 20:10-20 Së Bashku (ALNT)

10. Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë dhe tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur».

11. Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis.

12. Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë.

13. Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë.

14. Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë.

15. Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet.

16. Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.

17. Nga Mileti Pali u çoi fjalë pleqve të kishës në Efes që ta takonin.

18. Kur erdhën ata, Pali u tha:«Ju e dini sesi kam jetuar me ju gjatë gjithë kohës që nga dita e parë që shkela në Azi,

19. duke i shërbyer Zotit me shumë përulësi e lot, nëpër sprovat që hoqa për shkak të sulmeve të judenjve.

20. Ju e dini që nuk ju kam fshehur asgjë, por ju kam predikuar dhe ju kam mësuar hapur e nëpër shtëpitë tuaja gjithçka që ishte e dobishme për ju.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 20