Dhjata e Re

Veprat 19:32-40-41 Së Bashku (ALNT)

32. Atëherë u bë rrëmujë e madhe ndër të mbledhurit. Disa bërtisnin e thoshin një gjë e të tjerë një gjë tjetër, ndërsa shumica nuk e dinte pse ishin mbledhur.

33. Disa nga turma shtynë përpara njëfarë Aleksandri dhe judenjtë e nxitën të fliste. Aleksandri bëri shenjë me dorë për qetësi dhe u mundua të fliste para popullit në mbrojtje të judenjve,

34. po kur e kuptuan se ishte jude, të gjithë së bashku bërtitën njëzëri për rreth dy orë: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».

35. Sekretari i qytetit, pasi e qetësoi turmën, tha:«Burra të Efesit, a ka njeri këtu që nuk e di se qyteti i efesianëve është mbrojtësi i tempullit të Artemisës së madhe dhe i shtatores së rënë nga lart?

36. Kjo gjë nuk mund të mohohet, prandaj qetësohuni dhe mos bëni gjëra të nxituara.

37. Keni sjellë këtu këta njerëz, që as kanë vjedhur tempullin e as kanë fyer perëndeshën tuaj.

38. Nëse Dhimitri dhe zejtarët e tjerë, që janë me të, kanë ndonjë gjë kundër ndokujt, gjykatat janë të hapura dhe kanë prokonsuj. Atje le t’i ngrenë paditë kundër njëri-tjetrit.

39. Nëse keni ndonjë çështje tjetër, ajo do të shqyrtohet sipas ligjit në mbledhjen e radhës.

40-41. Ndërsa sot rrezikojmë të paditemi për kryengritje, meqë nuk kemi asnjë arsye që na jep të drejtë për këtë grumbullim».Pasi tha këto, e shpërndau turmën.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 19