Dhjata e Re

Veprat 19:23-30 Së Bashku (ALNT)

23. Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu.

24. Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës, gjë që u sillte shumë punë zejtarëve.

25. Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha:«Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri.

26. Tani, ju e shihni dhe e dëgjoni se ky Pali i ka bindur dhe ka bërë për vete një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por pothuaj në të gjithë Azinë, duke u thënë se perënditë e bëra me duart e njerëzve nuk janë perëndi.

27. Prandaj ka rrezik jo vetëm t’i bjerë vlera punës sonë, por që edhe të mos çmohet më tempulli i perëndeshës së madhe Artemisë dhe asaj t’i humbë madhështia që e ka shtyrë tërë Azinë e botën ta adhurojnë.»

28. Kur e dëgjuan këtë gjë, zejtarët u zemëruan e bërtitën: «E madhe është Artemisa e efesianëve!».

29. Rrëmuja u përhap në gjithë qytetin. Turma u bashkua e shkoi me vrap te teatri, duke tërhequr zvarrë Gajin dhe Aristarkun që ishin maqedonas e që udhëtonin me Palin.

30. Pali donte të dilte para turmës, por dishepujt nuk e lanë.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 19