Dhjata e Re

Veprat 19:12-25 Së Bashku (ALNT)

12. Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre.

13. Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!».

14. Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev,

15. por shpirti i keq u përgjigj: «Unë e njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?».

16. Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur.

17. Kur të gjithë banorët e Efesit, judenjtë dhe paganët, e morën vesh këtë gjë, i zuri frika të gjithë dhe lavdëronin emrin e Zotit Jezu.

18. Edhe shumë prej atyre që besuan, rrëfyen e treguan të këqijat që kishin bërë.

19. Disa prej atyre që ishin marrë me magji, i sollën librat e tyre të magjisë dhe i dogjën para të gjithëve. Kur u llogarit vlera e atyre librave, doli se arrinte në pesëdhjetë mijë monedha argjendi.

20. Kështu fjala e Zotit përhapej dhe forcohej gjithnjë e më shumë me fuqinë e tij.

21. Si ndodhën këto gjëra, Pali vendosi që të shkonte në Jerusalem duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai. Ai tha: «Pasi të kem shkuar atje, duhet të shoh edhe Romën».

22. Kështu dërgoi në Maqedoni dy ndihmësit e vet, Timoteun dhe Erastin, ndërsa vetë ndenji pak më gjatë në Azi.

23. Në atë kohë ndodhi një rrëmujë e madhe për shkak të Udhës së Zotit Jezu.

24. Në Efes, jetonte edhe një burrë me emrin Dhimitër. Ai ishte argjendar dhe punonte tempuj të vegjël argjendi të Artemisës, gjë që u sillte shumë punë zejtarëve.

25. Ai i mblodhi zejtarët bashkë me punëtorët që kishin të njëjtën mjeshtëri e u tha:«Burra, ju e dini mirë se mirëqenia jonë varet nga kjo mjeshtëri.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 19