Dhjata e Re

Veprat 19:1-16 Së Bashku (ALNT)

1. Ndërsa Apoli ishte në Korint, Pali kaloi nëpër krahinat malore dhe arriti në Efes. Atje gjeti disa dishepuj

2. dhe u tha: «Kur besuat, a e morët Shpirtin e Shenjtë?».Ata iu përgjigjën: «As që kemi dëgjuar se ka Shpirt të Shenjtë».

3. Dhe Pali u tha: «Me çfarë jeni pagëzuar, atëherë?».Ata i thanë: «Me pagëzimin e Gjonit».

4. Pali u tha: «Gjoni pagëzoi ata që pendoheshin dhe u bëri thirrje njerëzve të besonin në atë që do të vinte pas tij, domethënë në Jezuin».

5. Kur dëgjuan këtë gjë, ata u pagëzuan në emrin e Zotit Jezu.

6. Atëherë Pali vendosi duart mbi ta dhe Shpirti i Shenjtë zbriti mbi ta e ata filluan të flasin në gjuhë të tjera e të profetizonin.

7. Ata ishin gjithsej rreth dymbëdhjetë burra.

8. Pali shkonte në sinagogë dhe për tre muaj foli hapur e përpiqej t’i bindte për mbretërinë e Perëndisë.

9. Disa njerëz kokëfortë nuk u bindën dhe filluan të flasin keq e ta shajnë Udhën e Zotit para popullit. Atëherë Pali u largua prej aty, mori me vete dishepujt dhe foli çdo ditë në shkollën e dikujt që quhej Tiran.

10. Këtë gjë e bëri për dy vjet me radhë e kështu të gjithë banorët e Azisë, judenj e paganë, dëgjuan fjalën e Zotit.

11. Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit.

12. Kur u çonin të sëmurëve shamitë apo rrobat që kishin prekur trupin e tij, ata shëroheshin nga sëmundjet dhe shpirtrat e këqij dilnin prej tyre.

13. Atëherë disa judenj endacakë që dëbonin shpirtrat e këqij, u munduan të thërrisnin emrin e Jezuit mbi ata që kishin shpirtra të këqij, duke thënë: «Ju urdhëroj të dilni në emër të Jezuit që predikon Pali!».

14. Këtë gjë e bënin shtatë bijtë e një kryeprifti jude me emrin Skev,

15. por shpirti i keq u përgjigj: «Unë e njoh Jezuin dhe Palin, po ju kush jeni?».

16. Atëherë njeriu me shpirtin e keq u sul mbi ta, i vuri poshtë e i rrahu aq keq, saqë ata ikën nga ajo shtëpi lakuriq e të plagosur.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 19