Dhjata e Re

Veprat 18:1-7 Së Bashku (ALNT)

1. Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint.

2. Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t’i takuar

3. dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ai ndenji dhe punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave.

4. Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë dhe grekët.

5. Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë, duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti.

6. Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre dhe u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë. Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t’u predikoj kombeve pagane».

7. Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës.

Lexoni kapitullin e plotë Veprat 18